1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

251011 Impfung gegen Kokainsucht

27 Tetor 2011

Për ata që janë të varur nga përdorimi i kokainës deri tani nuk janë gjetur lëndë zëvendësuese të përshtatshme. Një ekip shkencëtarësh nga SHBA po punon nga ky shkak për të krijuar një vaksinë kundër kokainës.

https://p.dw.com/p/12zs0
Deri tani nuk ekziston një medikament kundër varësisë nga kokaina.Fotografi: Fotolia/VRD

Personat testues vijnë vullnetarisht në qendrat eksperimentuese, në Hjustën (Houston) njësoj si në Filadelfia, në Nju Jork njësoj si në Cincinati. Ata janë të varur nga kokaina, që prej gjashtë ose shtatë vjetësh dhe duan që ta testojnë atë patjetër: vaksinën kundër kokainës.

"Shumica e pacientëve ndodhen nën presionin e familjeve ose të punëdhënëvsve të tyre, sipas parimit: kokaina po e shkatërron jetën tënde! Ti nuk duhet të marrësh më kokainë! Shumë pacientë duan edhe vetë të shpëtojnë nga kjo drogë. Ata janë përpjekur ta bëjnë këtë punë disa herë, por nuk e kanë arritur kurrë."

Thomas Kosten është psikiatër në Baylor College of Medicine në Hjustën (Houston). Është ai që e ka zhvilluar lëndën e vaksinës. Njerëz që e bëjnë këtë vaksinë krijojnë antikorpe kundër kokainës. Dhe këto antikorpe kujdesen që kokaina të mos ta ndikojë më trurin. Ekstaza nuk ndodh. Kjo duhet t'i ndihmojnë pacientët që të heqin dorë nga varësia, sepse qendra e shpërblimit, ajo që mund ta quajmë qendër e varësisë në tru nuk aktivizohet.Thomas Kosten:

Konsumi i kokainës në Evropë
Konsumi i kokainës në Evropë

"Antikorpet e kokainës janë shumë të mëdha. Kur pacienti merr kokainë, pra kur lënda kalon në gjak, atëherë antikorpet i ngjiten kokainës. Kompleksi i antikorpit të kokainës atëherë nuk arrin të depërtojë më në tru dhe të shpalosë efektin. Kokaina mbetet në gjak, shpërbëhet dhe nxirret jashtë me urinim."

Në vitet e shkuara shkencëtarët vaksinuan rreth 400 persona të varur nga kokaina. Në tre prej katër pacientëve vaksina zë. Ata krijojnë kaq shumë antikorpe, sa dozat më të larta të kokainës nuk bëjnë asnjë efekt tek ata. Vaksina suportohet mirë nga trupi, thonë shkencëtarët. Edhe Carl Hart nga Columbia University i New Yorkut kujdeset për ata që janë të varur nga droga. Shkencëtari është shumë i entuziazmur nga kjo vaksinë. Sepse deri tani nuk ekziston një medikament kundër varësisë nga kokaina.

"Unë jam i gëzuar që shkencëtarët ndjekin premisa të tilla. Por pikërisht të varurit nga droga janë nganjëherë më shumë entuziastë se duhet. Ata besojnë se me vaksinimin mund të shërohet varësia nga kokaina. Por varësia nga kokaina është një parregullsi jashtëzakonisht komplekse e sjelljes. Dhe kjo nuk mund të zgjidhet thjeshtë me një gjilpërë. Kjo është naive. Vaksinimi nuk është mjet çudibërës."

Vaksinimi mund të pengojë vërtet kalimin në ekstazë nga kokaina, por nevoja për kokainë mbetet. Javët e para është veçanërisht e vështirë. Por kur personat testues marrin kokainë dhe vënë re se nuk ndodh gjë, atëherë nevoja për kokainë bie.

Vaksinë kundër varësisë nga kokaina?
Vaksinë kundër varësisë nga kokaina?Fotografi: Fotolia/NatUlrich

Prandaj, më e mira është që pacientët t'i marrin të dyja: një terapi të sjelljes, në të cilën të mësojnë si të veprojnë me varësinë dhe vaksinimin. Ky kombinim mund t'i ndihmojë pacientët në plan afatgjatë që të shkëputen nga droga, por kjo nuk ndodh prej sot nesër. Dhe vaksinimi mban vetëm disa muaj, ai duhet ripërtërirë, thotë Thomas Kosten.

Vaksina e kokainës nuk është licensuar ende. Shkencëtarëve do t'u duhet ndoshta që të bëjnë studime edhe më të mëdha, me një mijë persona testues. Dhe ata kanë nevojë për një firmë farmaceutike që ta do të dojë ta prodhojë dhe shesë vaksinën. Megjithatë: radhët e pritjes në qendrat eksperimentuese janë të gjata.

Autor: Marieke Degen/ Auron Dodi

Redaktoi: Aida Cama