1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

UNO Westerwelle

27 Shtator 2011

Vlera e virtyteve gjermane është e padiskutueshme, por ndonjëherë kërkohet më shumë se sa zell, rregull dhe përpikëri. MPJ Guido Westerwelle ceku në fjalimin e tij në OKB të gjitha temat e rëndësishme. Impulse ai nuk dha

https://p.dw.com/p/12hBx
Bundesaußenminister Guido Westerwelle (FDP, l) und UN-Generalsekretär Ban Ki-Moon (r) beglückwünschen am Mittwoch (13.07.2011) in New York (USA) im Sicherheitsrat der Vereinten Nationen den Vizepräsidenten von Süd-Sudan, Riek Machar Teny-Dhurgon. Deutschland hat im Juli den Vorsitz im Sicherheitsrat der Vereinten Nationen. Der FDP-Politiker leitet am 13.07.2011 die Debatte zum Thema ""Empfehlung zur Aufnahme des Südsudan". Foto: Soeren Stache dpa
MPJ Guido Westerwelle dhe Ban Ki MunFotografi: picture alliance/dpa

Para pothuajse një viti entuziazmi ishte i madh. Pas përpjekjesh intensive për t'i bërë të tjerët për vete Gjermania pati fituar votimin për një vend jo të përhershëm në Këshillin e Sigurimit. Që prej fillimit të 2011-ës gjermanët zënë vend në instancën më të fuqishme të botës. Por, rëndësi ndërkombëtare ata nuk kanë fituar që atëherë. Më tepër është e kundërta.

Më së qarti këtë e bën një vështrim në listën e folësve të Asamblesë së Përgjithshme të sivjetme. Në fakt politika e brendshme gjermane nuk luan rol të rëndësishëm në Nju-Jork, por meqenëse si pasojë e humbjeve të partisë së tij në zgjedhjet për parlamentet e landeve ministri i Jashtëm Guido Westerwelle nuk është më zëvendëskancelar, ai ka humbur në rëndësi edhe në renditjen diplomatike ndërkombëtare. Ai foli si i përfaqësuesi i fundit i anëtarëve jo të përhershëm të Këshillit të Sigurimit. Vende si Bosnjë Hercegovina dhe Afrika e Jugut, Kolumbia, India dhe Portugalia patën dërguar kreun e tyre të shtetit dhe të qeverisë duke siguruar kësisoj vende të para.

Abstenimi për Libinë s'hiqet nga mendja

Edhe përsa i përket përmbajtjes Gjermania e ka nxjerrë veten në pozicion jashtë loje: nëpërmjet abstenimit gjatë votimit në Këshillin e Sigurimit mbi ngritjen e një zone ndalim-fluturimi mbi Libi në mars. Ajo ishte prova vendimtare e parë në një instancë dhe gjermanët nuk e kaluan atë. Ata dolën në anën e Kinës dhe Rusisë, të cilat gjithashtu abstenuan, në vend që të mbështesnin SHBA-në, Britaninë e Madhe dhe Francën dhe para së gjithash luftëtarët e rezistencës në Libi.

Në fjalimin e tij para Asamblesë së Përgjithshme të hënën (26.09.2011) ministri i jashtëm nuk e përmendi Libinë me më shumë se një fjali: Gjermania ofron, sipas tij, mbështetjen e vet "për fillimin e ri në Libi pas rrëzimit të diktatorit". Në Konferencën për Libinë në prag të debatit të përgjithshëm Westerwelles s'i erdhi radha të fliste (ai e pati lënë konferencën para mbarimit dhe e pati dhënë fjalimin për protokoll.) Ky nuk është qëndrim që shpreh vetëbesim, më saktë lë përshtypjen sikur ai mundësisht nuk do t'i kujtohet më vendimi i atëhershëm.

Efikas, por i shpëlarë

Gjermanëve iu duhet shtuar si plus, që në tema të tjera në Këshillin e Sigurimit bëjnë punë efikase: Kërkesa e Sudanit të Jugut për anëtarësi përfundoi në kohë rekord; rezoluta për mbrojtjen e shtuar të fëmijëve në zonat e konfliktit u arrit të miratohet. Gjithashtu Westerwelle, i cili qëndroi një javë të tërë në Nju-Jork, pati një kalendar takimesh të ngjeshur. Ai paraqiti simbolin ndërkombëtar për të drejtat e njeriut, u takua me kolegë dhe vizitoi konferenca e veprimtari, ndër të tjera për përparimin ekonomik të Afganistanit. Mirëpo në temën e konfliktit të Lindjes së Afërme, e cila është tradicionalisht një temë gjermane, ai mbeti i shpëlarë.

Kjo në një kohë që Westerwelle i kushtoi konfliktit të Lindjes së Afërme një pjesë të madhe të kohës së fjalimit të tij. Por deklarata e tij mund të përmblidhet me fjalët: Të dyja palët kanë të drejtë për ekzistencë dhe paqja është e mundur, sikur ato t'i përmbahen planit kohor të Kuartetit për Lindjen e Afërme.

Se si do të sillet Gjermania në rast votimi në Këshillin e Sigurimit mbi kërkesën e palestinezëve për pranim më OKB, këtë ministri i Jashtëm e lë të hapur. A do të thotë kjo një tjetër abstenim gjerman? Kështu nuk mbahen frerët e botës. Vlera e virtyteve gjermane është e padiskutueshme, por ndonjëherë kërkohet më shumë sesa zell, rregull dhe përpikëri.

Autor: Christina Bergmann
Redaktor: Pandeli Pani