1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Ndalimi i importeve serbe rrit stabilitetin ekonomik në Kosovë

5 Shtator 2011

Që nga vendimi i qeverisë së Kosovës për ndalimin e mallrave serbe në tregun e Kosovës, është shtuar kërkesa për prodhime kosovare dhe importuesit kosovarë kanë gjetur rrugë të tjera importi.

https://p.dw.com/p/12TIv
Rrugë dyqanesh në Prizren.
Fotografi: picture-alliance/ dpa

Që nga vendosja e masave të reciprocitetit ndaj Serbisë dhe ndalimit të mallrave serbe në Kosovë, importuesit kosovarë përpiqen të blejnë mallra kryesisht nga vendet e tjera të rajonit, por në një masë edhe nga vendet e Bashkimit Evropian.

Shënohet rritje e prodhimit kosovar

Ndalimi i mallrave serbe që të hyjnë në Kosovë bëri që të rritet edhe prodhimi kosovar dhe të shënohet një rimëkëmbje e ekonomisë. U ndalua kontrabanda në veri të Kosovës, e cila për vite më radhë vendit i sjell humbje me qindra miliona euro. Kështu thotë biznesmeni nga Kosova, Ramiz Kelmendi, i cili mbështeti vendimin e qeverisë për ndalimin e mallrave serbe që të hyjnë në Kosovë, megjithë vështirësitë për biznesin e tij.

Biznesmeni Ramiz Kelmendi
Biznesmeni Ramiz KelmendiFotografi: DW

"Kemi arritur që një shumicë të madhe të produkteve t'i sjellim në vendin tonë nga shtetet e tjera dhe njëkohësisht edhe shumë prodhues kanë filluar që edhe mallrat bazë që i kanë blerë në shtetin fqinjë në Serbi, t'i zëvëndësojnë dhe t'i marrin nga shtetet e tjera mike. Kjo ka nxitur prodhimin vendor”, thotë Ramiz Kelmendi.

Kërkesa për lehtësira tregtare në doganë

Zoti Kelmendi, thotë se qeveria e Kosovës duhet të sjellë legjislacionin e nevojshëm në mënyrë që të hiqet taksa doganore për shtetet mike të Kosovës dhe kjo do t'ua lehtësojë punën edhe prodhuesve kosovarë.

“Duhet të hiqet taksa doganore për shtetet mike të Kosovës siç janë SHBA, Turqia dhe shtetet e Evropës, por njëkohësisht duhet që të hiqet dogana për material bazë dhe amballazhim për prodhuesit kosovar në mënyrë që prodhuesit kosovarë të jenë prodhues të vazhdueshëm”, thotë Ramiz Kelmendi.

Importet kryesisht nga vendet e rajonit

Në bazë të të dhënave të doganave të Kosovës, vendi importon mallra deri në masën 80%, ndërsa, eksporti është akoma i vogël. Pas vendimit për ndalimin e mallrave të Serbisë që të hyjnë në tregun kosovar, sipas drejtorit të doganave të Kosovës Naim Huruglica, importi u orjentua kryesisht nga vendet e rajonit.

Drejtori i doganave të Kosovës, Naim Huruglica.
Drejtori i doganave të Kosovës, Naim Huruglica.Fotografi: DW

“Importi është orientuar kryesisht në rajon, vërehet një rritje e mirë e importit nga Shqipëria. Për herë të parë kemi në Kosovë material ndërtimor nga Shqipëria, po ashtu kanë filluar të vijnë në Kosovë prodhimet kroate, nga Maqedonia, Turqia, por ka edhe nga vendet e Bashkimit Evropian”, thotë Naim Huruglica.

Ndalimi i importeve serbe ka sjellë rritje çmimesh

Ndalimi i mallrave të Serbisë në tregun e Kosovës, solli edhe ngritjen e çmimeve. Këtë ngritje çmimesh, kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gerxhaliu, e sheh si një presion të heshtur mbi qeverinë, nga biznesmenët kosovarë.

“Nëpër supermarketet e Kosovës vendosen informata dhe kërkohet që të ngrihen çmimet, me qëllim që të bëhet presion mbi institucionet kosovare që të lëshojnë pe edhe pse nuk e di se për çka duhet të lëshohet pe. Ende ka një vendim të prerë për ndalimin e futjes së mallrave të Serbisë në tregun kosovar”, thotë Safet Gerxhaliu.

Më datën 20 korrik të këtij viti, qeveria e Kosovës mori vendim për masa reciprociteti të plotë për produktet e Serbisë, ndërsa për mallrat e Bosnjës dhe Hercegovinën vendosi taksë doganore prej 10 përqind. Serbia dhe Bosnja e Hercegovina janë shtetet, të cilat që nga viti 2008 kanë bllokuar produktet kosovare edhe pse janë pjesë e marrëveshjes për tregti të lirë në rajonin e ballkanit. Para vendosjes së masave të reciprocitetit, Kosova ka importuar mallra nga këto dy vende në vlerë prej mbi 300 milion euro në vit, ndërsa, nuk ka mundur të shesë mallra në këto dy vende. Pas arritjes së marrëveshjes ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, për vulat doganore, ekspertët e ekonomisë besojnë se do të shënohet një stabilizim në tregun kosovar, të hyrat në buxhetin e Kosovës do të rriten, ndërsa, ekonomia informale që sipas tyre burimin e kishte në veri të Kosovës, pritet të shënojë rënie.

Autor: Bekim Shehu / Prishtinë

Redaktoi: E. Xhani