1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Gara për tregun kosovar zgjon biznesmenët maqedonas

17 Gusht 2011

Biznesmenët në Maqedoni kërkojnë nga qeveria që të përpilohet një strategji që do t'u mundësonte afaristëve eksportin e mallrave në tregun kosovar me lehtësime dhe procedura më të shkurtra.

https://p.dw.com/p/12IBI
Pamje ilustruese
Pamje ilustrueseFotografi: CC/Chris Kalbfleisch

Pas aplikimit të masave të reciprocitetit tregtar që Kosova vendosi ndaj prodhimeve të Serbisë, në Maqedoni është shtuar dukshëm interesimi për mbulimin e tregut të Kosovës me mallra të eksportuara nga Maqedonia. Biznesmenët në Maqedoni, kanë rekomanduar se është me rëndësi që të përpilohet një strategji, e cila enkas do të dedikohet për tregun kosovar.

Për Maqedoninë, Kosova është partneri i tetë tregtar ku më shumë inportohen prodhime ushqimore, derivate të naftës, çimento dhe prodhime bujqësore e higjienike. Ministri i Ekonomisë, Valon Saraqini, ka shprehur gadishmërinë e qeverisë, që t'u dalë në ndihmë kompanive, të cilat eksportojnë prodhimet e tyre në Kosovë.

Duhen identifikuar mallrat maqedonase të përshtatshme për tregun kosovar

“Kompanitë tona besoj se e dinë se cilat prodhime nevojiten, me qëllim që të zënë vend në tregun kosovar. Mendimi im është që pas të gjitha këtyre analizave, është mirë që të bëhet edhe një hulumtim i tregut që të kemi informata më të sigurta, se cilat prodhime janë më të nevojshme për t'u zëvendësuar në tregun kosovar”, vlerëson ministri i Ekonomisë, Valon Saraqini.

Takim parlamentar në Maqedoni. Odat ekonomike të Kosovës e Maqedonisë zhvillojnë takime të rregullta
Takim parlamentar në Maqedoni. Odat ekonomike të Kosovës e Maqedonisë zhvillojnë takime të rregulltaFotografi: MAKFAX

Statistikat ekonomike tregojnë se deri në muajin maj, importi me Kosovën ka arritur në 182 milionë dollarë ndërsa eksporti në 14 milionë dollarë. Kryetari i Odës Ekonomike të Maqedonisë Veriperendimore, Menderez Kuçi, thotë se Odat ekonomike të të dyja vendeve kanë zhvilluar takime të njëpasnjëshme për mënyrën e kapërcimit të problemeve që mund të paraqiten pas aplikimit të masave të reciprocitetit tregëtar të Kosovës ndaj Serbisë.

Qëllimi: Të mbetemi në tregun kosovar

Gara për pushtimin e tregut kosovar tashmë ka filluar, pohon Kuçi. “Gara po ndodh dhe po bëhet, tregu kosovar po bëhet gjithnjë e me atraktiv, jo vetëm për Maqedoninë por në radhë të parë edhe për Shqipërinë madje edhe për Turqinë”. Gjithnjë sipas Kuçit, bizneset private kanë depërtuar tashmë me sukses në tregun kosovar, ndërsa bashkëpunimi institucional në këtë sferë, shkon disi më ngadalë dhe kjo është konstatuar nga Odat ekonomike të të dyja vendeve.“Konstatimi i përbashkët është: Produktet tona të Maqedonisë po dalin me një kosto më të shtrenjtë. Qëllimi dhe intenca jonë nuk është që të përfitojmë nga kjo situatë, qëllimi ynë është që të lëmë mbresa në tregun kosovar, ne duam të qëndrojmë me produktet tona atje”, deklaron Menderez Kuçi

Eksperti për çështje ekonomike, profesori universitar Bilall Kasami, vlerëson se Maqedonia nuk është duke treguar interes të dukshëm për tregun kosovar, pasi supozohet se në një këmbim të intensifikuar të mallrave, fitues do të ishin vetëm biznesmenët shqiptarë. “Pala maqedonase mendon se shqiptarët do të përfitonin më shumë nga ky bashkëpunim me Kosovën. Mendoj se definitivisht është rasti i fundit që të mos e humbim edhe këtë shans dhe tregu kosovar duhet të analizohet shumë më seriozisht”, shprehet Kasami.

Sipas tij në Maqedoni biznesmenët shqiptarë dhe maqedonas duhet të bashkëpunojnë më shumë, sepse vetëm në këtë mënyrë do të jenë jenë konkurentë në tregun kosovar.

Autor: Fatos Musliu

Redaktoi: Lindita Arapi