1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Karla del Ponte në bankën e të akuzuarve?

12 Gusht 2011

Ish-kryeprokurorja e Tribunalit të Hagës, Karla del Ponte mund të ndodhet në bankën e të akuzuarve për zhdukjen e sendeve nga varret masive, që janë përdorur si dëshmi në proceset gjyqësore.

https://p.dw.com/p/12FbT
Në foto, Karla del Ponte
Në foto, Karla del PonteFotografi: AP
Logoja e Tribunalit të Hagës për krime të luftës në ish Jugosllavi eingestellt Mai 2011
Logoja e Tribunalit të Hagës për krime të luftës në ish Jugosllavi

Në fund të vitit 2005 dhe në fillim të vitit 2006 në Gjykatën e Hagës janë shkatërruar rreth 1.000 sende personale të viktimave të gjenocidit, shumë prej të cilave ishin përdorur si prova materiale në proceset gjyqësore. Shumica e këtyre sendeve ishte nga varrezat masive. Prokuroria në Hagë disa vite më vonë vendosi që ato "të shkatërrohen, për shkak se ishin në fazën e kalbjes dhe paraqisnin rrezik për shëndetin e njeriut".

Kjo ishte një goditje për ata që i kishin mbijetuar gjenocidit, sepse siç theksojnë përfaqësuesit e shoqatave të Srebrenicës "janë shkatërruar kujtimet e të vrarëve". Ata nuk i ka qetësuar as sqarimi se të dhënat dhe fotografitë e sendeve të shkatërruara ndodhen në arkivin e gjykatës. Sendet personale të të vrarëve për të mbijetuarit kanë një vlerë shumë të madhe emocionale.

Objektet janë shkatërruar pa pëlqimin e familjeve të viktimave

Pamje nga varrezat e Srebrenicës
Pamje nga varrezat e SrebrenicësFotografi: picture alliance / dpa

"Kujtimet e fundit të fëmijëve tanë dhe bashkëshortëve u shkatërruan gjatë mandatit të Karla del Pontes, e cila edhe e ka nënshkruar vendimin për shkatërrimin e atyre sendeve. Ne do të vazhdojmë të kërkojmë që ata të cilët janë përgjegjës të dalin para drejtësisë, sepse ata duhet të kishin kërkuar pëlqimin e familjeve ose të shtetit tonë, Bosnjë e Hercegovinës", thotë kryetarja e shoqatës "Nënat e Srebrenicës", Hajra Çatiq. Shoqatat e Srebrenicës kanë mbledhur 4000 nënshkrime të personave të mbijetuar, të cilët kanë kërkuar angazhimin e një ekipi të avokatëve. Prokurori nga Tuzla Damir Aliq është anëtar i grupit, që do të përfaqësojë viktimat falas në këtë rast. Për Deutsche Welle-n ai thotë se: "ka shumë gjasa që në listën e të akuzuarve të jetë edhe ish-kryeprokurorja Karla del Ponte dhe rrethi i afërt i njerëzve, të cilët vendosën për shkatërrimin e provave."

"Shkatërrimi i provave është urdhëruar nga Karla del Ponte"

Pamje nga varrezat e Srebrenicës
Pamje nga varrezat e SrebrenicësFotografi: picture alliance / dpa

"Dyshimi bazë se zonja Karla del Ponte ka urdhëruar shkatërrimin e këtyre sendeve është konfirmuar nga burime të shumta dhe ne po merremi me këtë problem në mënyrë sistematike. Ne përgatitemi për të ngritur një kallëzim ose aktpadi dhe do ta bëjmë këtë sapo të kemi mbledhur provat e mjaftueshme", thotë Aliq.

Ekipi i avokatëve, të cilit i janë bashkuar edhe avokatët britanikë Hugh Mercer dhe Jessica Wells, ka llogaritur në mbështetjen e institucioneve të Bosnjë e Hercegovinës, thekson Aliq. "Kemi premtime të dhëna gojarisht, por jo edhe mbështetje konkrete. Autoritetet e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Bosnjë e Hercegovinës kanë anuluar një takim të paraparë për ditën e enjte (11.8.). Ne kemi mbështetjen e shumë individëve, duke përfshirë këtu edhe atë të anëtarit të presidencës së Bosnjë e Hercegovinës, Bakir Izetbegoviq dhe shpresojmë që kjo mbështetje do të jetë edhe më e madhe", tha Aliq. Ekipi i avokatëve synon që të ndihmojë nënat nga Srebrenica që të kenë një përgjigje për atë se kush dhe pse i shkatërroi kujtimet e më të dashurve të tyre, dhe pse për këtë është heshtur për vite me rradhë. Anëtarët e ekipit të avokatëve mendojnë se përgjigjet ndaj këtyre pyetjeve do të bëhen të njohura shumë shpejt.

Autor: Samir Huseinoviq / Esat Ahmeti

Redaktoi: Auron Dodi