1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

030711 Thailand Wahlausgang

4 Korrik 2011

Në zgjedhjet parlamentare në Tajlandë, kandidatja e opozitës Yingluck Shinawatra fitoi bindshëm. E motra 44 vjeçare e ish-kryeministrit Thaksin Shinawatra tha se populli i dha asaj një shans.

https://p.dw.com/p/11oID
Yingluck Shinawatra, fituesja e zgjedhjeve
Yingluck Shinawatra, fituesja e zgjedhjeveFotografi: AP

Shumicë absolute për partinë deri tani në opozitë Pheu Thai - është një fitore e plotë për kandidaten 44 vjeçare kryesore Yingluck Shinawatra dhe për vëllanë e saj Thaksin, të arratisur nga Tajlanda.

Anëtarë të entuziazmuar dhe zgjedhës të Partisë Pheu Thai, brenda dhe jashtë zyrës qendrore të partisë në Bangkok, shumë prej tyre me t-shirte të detyrueshme të kuqe- të gjithë ata festojnë fituesen e zgjedhjeve Yingluck, kryeministren e parë të ardhshme të Tajlandës dhe brohorasin për çdo qark elektoral të fituar. Gradualisht, numri i mandateve në parlament, të cilat i ka të sigurta Pheu Thai shtohet dhe në fund arrihet shumica absolute prej 500 vendesh në parlament. Njëri nga të parët që përshëndeti është vetë Thaksini, i cili telefon me motrën Yingluck:

"Sot në mëngjes, para se të hidhte votën, unë i urova asaj gjithë të mirat, kur dolën prognozat e urova dhe i thashë se tani ka para vetes punë të vështira."

Tajlanda ndodhet tani para ndërrimit të pushtetit, i cili pritej javën e kaluar. Partia Pheu Thai, e mbështetur nga këmishkuqtë opozitarë, do të përpiqet për një ndarje më të drejtë të pasurisë në vend. Para së gjithash popullata e varfër e Tajlandës shpreson shumë. Kryeministri ende në pushtet, Abhisit Vejjajiva shpresoi që në zgjedhjet e parakohshme do të arrinte të fitonte së bashku me partnerët e koalicionit vota të mjaftueshme për të krijuar një qeveri të re. Por partia e tij përfundoi me diferencë të madhe votash në vend të dytë.

Zgjedhjet në Tajlandë
Zgjedhjet në TajlandëFotografi: AP

Dy çështje të rëndësishme do të jenë në ditët dhe javët e ardhshme në qendër të vëmendjes: a do ta pranojë ushtria e Tajlandës, e cila ndodhet në anën e Abhisitit, ndryshimin e pushtetit apo do të ketë puç- dhe: a do të kthehet në Tajlandë Thaksin Shinawatra, i cili ishte prej vitit 2001 deri 2006 kryeministër i Tajlandës, pa iu dashur që të kryejë dënimin e tij me dy vjet burg në Tajlandë. Thaksinin e patën dënuar për shpërdorim detyre. Vetë Thaksini, që nga Dubai ku ndodhet në mërgim, nuk lë asnjë dyshim për synimet e tij:

"Unë ua thashë mbështetësve të mi, se dua të kthehem në Tajlandë. Por megjithatë, dua të pres momentin e duhur".

Po, thotë Thaksini, ai pret natyrisht rezistencë, por e madhe ajo nuk do të jetë. Motra e tij Yingluck, e cila e nisi karrierën si forcë e lehtë politike, por që ndërkohë është bërë një figurë drejtuese politike e pranuar gjerësisht në Tajlandë, tani duhet të jetë në gjendje të arrijë pajtimin e vështirë në shoqërinë e përçarë thellësisht të Tajlandës midis këmishëkuqve dhe këmishëverdhëve. Një kthim i afërt i të vëllait, atë nuk do ta ndihmonte.

Autor: Udo Schmidt/ Auron Dodi

Redaktoi: Elert Ajazaj