1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Bashkësia Islame e Kosovës dënon aktin terrorist në Frankfurt

3 Mars 2011

Bashkësia Islame e Kosovës thotë se të sulmosh ushtarët e një vendi mik që ndihmuan në çlirimin e Kosovës, është jo vetëm një akt makabër e terrorist, por është atak edhe kundër Kosovës dhe popullit të saj.

https://p.dw.com/p/10T6R
Besimtarë myslimanë në KosovëFotografi: AP

Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë në një deklaratë të saj, i bashkohet qeverisë dhe popullit të Kosovës në dënimin e sulmit mbi ushtarët amerikan. Ambasada e SHBA-ve në Prishtinë, thotë se populli amerikan është i vetëdijshëm se populli i Kosovës është gjithashtu i tronditur me këtë krim neveritës që është një fyerje për vlerat dhe traditat e popullit shqiptar. “Akti i një individi të vetëm nuk do të ndikojë në asnjë mënyrë në miqësinë e thellë dhe të qëndrueshme mes dy vendeve tona, ose në marrëdhëniet jashtëzakonisht të ngrohta dhe të ngushta të popujve tanë dhe qeverive”, thuhet në deklaratën e ambasadës së SHBA-së në Prishtinë.

Resul Rexhepi
Resul Rexhepi, Sekretar i bashkësisë islame të KosovësFotografi: DW

Ndërkohë, Bashkësia Islame e Kosovës duke dënuar ngjarjen tragjike në Frankfurt, thotë se ai është një akt terrorist pavarësisht se kush e ka kryer atë, pa marrë parasysh qëllimin dhe motivin. Resul Rexhepi është sekretar i bashkësisë islame të Kosovës. “Të sulmosh ushtarët e një vendi mik që ndihmuan në çlirimin e Kosovës, përpos që është një akt makabër e terrorist, s'ka dyshim se është edhe një atak kundër Kosovës dhe popullit të saj si dhe kundër interesave të popullit shqiptarë. Mirëpo, edhe njëherë, shprehemi qartë se populli i Kosovës dhe besimtarët e saj nuk kanë asgjë të përbashkët me dhunën, vrasjet e terrorizmin. Shprehim mirënjohjen tonë për shtetin dhe popullin amerikan, për kontributin e dhënë për Kosovën dhe vlerat demokratike. Jemi të bindur se ky akt nuk do të ndikojë në marrëdhëniet tona të veçanta me popullin dhe qeverinë amerikane”, thuhet në komunikatën e Bashkësisë Islame të Kosovës.

“Konsiderojmë se ky nuk mund të vlerësohet ndryshe pos si një akt makabër, akt i rëndë dhe një akt që neve më së paku na është dashur”, thotë Resul Rexhepi.

Zoti Rexhepi thotë se i riu kosovar që kreu vrasjen, pavarësisht përkatësisë së tij etnike dhe fetare, populli i Kosovës nuk duhet të bartë pasojat për fajin që ka bërë dhe mund ta bëjë një qytetar me prejardhje nga Kosova, i cili megjithatë ishte i lindur dhe rritur në Gjermani. Resul Rexhepi, thotë se në Kosovë ushtarët amerikanë dhe të vendeve të tjera të NATO-os shihen si clirimtar dhe nuk beson se ata mund të jenë të rrezikuar nga ndonjë person apo grup i caktuar.

Joe Biden in Pristina
Zëvendëspresidenti Joe Biden në Prishtinë, 21 maj 2009.Fotografi: AP

“Në Kosovë kemi pasur incidente kur ushtarët e NATO-s kanë shkelur në mina, kur ushtarët kanë pasur aksidente në trafik, por asnjëherë nuk kemi pasur raste që ndonjë ushtar i shteteve tona mike të jetë kqyrë të paktën shtrembër apo me dyshime nga qytetarët e Kosovës”, thotë Resul Rexhepi.

Analistët e pavarur ndërkaq, thonë se qytetarët e Kosovës, SHBA-së i cilësojnë si një ndër vendet më mike të Kosovës dhe sulmin mbi ushtarët amerikan e cilësojnë si një akt qyqar që nuk ka lidhje me traditën e popullit shqiptar që ka orientim nga perëndimi. Analisti Mufail Limani, thotë se megjithatë në Kosovën e pasluftës kufijtë e Kosovës ka qenë të pakontrolluar dhe rrjedhimisht organizata të ndryshme joqeveritare islamike kanë vepruar në Kosovë dhe kanë stimuluar shumë të rinj kosovar që të studiojnë në vendet e lindjes. “Qeveria e Kosovës dhe sidomos ministria e arsimit duhet të ndërmarrë hapa të menjëhershëm që djemtë dhe vajzat e varfëra nga Kosova të mos vijnë në situatë që të shkojnë dhe të studiojnë në vendet e lindjes prej nga mund të marrin idetë ekstremiste dhe t'i sjellin në Kosovë”, thotë Mufail Limani.

Në Kosovë ka mijëra trupa të SHBA-së dhe të vendeve aleate të tyre në kuadër të NATO-s. Analisti Mufail Limani, nuk sheh rrezik për ndonjë sulm të mundshëm mbi ushtarët e NATO-os në Kosovë për faktin që sipas tij, qytetarët e Kosovës ushtarët e NATO-os i shohin si çlirimtar. "Ndjenja e respektit dhe borxhit ndaj SHBA-së dhe evropianëve që morën pjesë në shpëtimin e popullit të Kosovës është diçka që nuk mund të kontestohet, por kjo nuk e përjashton mundësinë që individë të ndryshëm, grupe të ndryshme të infiltruara në shoqërinë kosovare mund të paraqesin rrezik”, thotë analisti Mufail Limani.

Sidoqoftë, kuvendi i Kosovës filloi punimet me një minutë heshtje në nderim të dy ushtarëve amerikan të vrarë në Frankfurt. Ambasada e SHBA-së në Prishtinë ka hapur librin e ngushëllimeve ku qindra qytetarë të Kosovës po i bashkohen dhimbjes për dy ushtarët e vrarë.

Autor: Bekim Shehu

Redaktoi: Aida Cama