1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Rumänien Schengen

25 Shkurt 2011

Rumania dhe Bullgaria prisnin që nga mesi i vitit 2011 të ishin anëtare të zonës Shengen. Por ministrat e Brendshëm të BE-së vendosën të enjten (24.02.) ndryshe në Bruksel.

https://p.dw.com/p/10PN1
Fotografi: AP

Bashkimi Evropian përfundimisht tërhoqi litarin e parashutës. Vonë por megjithatë në kohën e duhur Brukseli e kuptoi mosefektin e procesit të monitorimit, i cili vlen për Bullgarinë dhe Rumaninë që prej anëtarsimit të të dy vendve në vitin 2007. Përmes këtij monitorimi duhet të sigurohet që përpjekjet për elimimin e deficiteve në fushën e drejtësisë dhe luftimi i korrupsionit dhe krimit të organizuar do të vazhdojnë edhe pas anëtarësimit. Megjithatë raportet kritike të publikuara çdo gjashtë muaj nga Komisioni Evropian ishin shumë të pafuqishme për të sjellë rezultatet e dëshiruara. Sanksione nuk pati kurrë, në Rumani korrupsioni vazhdon të lulëzojë në nivelet më të larta. Kontrolli nga Brukseli nuk ka funksionuar.

Tani Bashkimi Evropian dëshiron të shtojë presionin ndaj Bukureshtit. Para së gjithash Gjermania dhe Franca e kanë kuptuar se rezultate mund të tregojnë vetëm masat konkrete. Berlini dhe Parisi janë në parim të pajtimit për një antarësim të plotë të Rumanisë dhe Bullgarisë në zonën Shengen por kanë paralajmëruar përmes një letre Komisionin Evropian se kufijtë e hapur me këto dy vende nga mesi i vitit 2011 mund të kenë "pasoja të rënda për sigurinë e brendshme të BE-së." Ndërkohë të njëjtën drojë e kanë shfaqur edhe vende të tjera të BE-së.

Nga ana tjetër ndërlidhja e kritereve politike të monitorimit të BE-së me procesin aktual të zonën Shengen nuk janë përcaktuar me një marrëveshje konkrete. Megjithatë BE duhet të veprojë për të mos vënë në lojë kredibilitetin e tij. Rumania është dënuar për shkak se e ka humbur bonusin e dhënë të besimit dhe që prej antarësimit në BE vetëm sa e ka ngadalësuar procesin e reformave në fushën e drejtësisë. Tani Bukureshtit i duhet të dëshmojë se i ka kuptuar siç duhet sinjalet e dërguara nga Brukseli dhe t'i çojë përpara reformat. Nuk mjafton që në mënyrë demonstrative në prag të marrjes ssë vendimit për antarësimin e vendit në zonën Shengen të arrestohen nën dyshimet për korrupsion disa nëpunës kufiri dhe doganierë. Komisioni Evropian pret kapjen e "peshqëve të mëdhenj" nga politika dhe ekonomia. Në këtë mes hetimet e deritanishme nuk kanë sjellë asnjë rezultat.

Vendimi i tanishëm është padyshim një sinjal paralajmërues edhe për vendet e tjera anëtare të BE-së dhe për vendet kandidate për anëtarësim. Ai është një sinjal që shtrihet përtej kufinjve të marrëveshjes Shengen dhe mund të konsiderohet si paralajmërim i përgjithshëm: Kush nuk bën si duhet dhe me kohë detyrat e shtëpisë duhet të llogarisë se e pret dënimi.

Autor: Robert Schwartz
Redaktor: Fabian Schmidt