1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Börsenfusion

10 Shkurt 2011

Bursa Gjermane dhe ajo e Nju Jorkut ndodhen para bashkimit, që do të krijonte bursën më të madhe të aksioneve në botë. Të dy kompanitë kanë konfirmuar "negociata të avancuara për fuzionimin".

https://p.dw.com/p/10F4M
Bursa gjermane në Frankfurt mbi Main
Bursa gjermane në Frankfurt mbi MainFotografi: picture alliance/dpa

Bursa Gjermane dhe konkurrentja e saj, bursa njujorkeze "NYSE Euronext" planifikojnë të bashkohen. Ende nuk është arritur asnjë marrëveshje përkatëse, deklaruan bursa gjermane në Frankfurt mbi Main dhe "New York Stock Exchange Euronext" të mërkurën (09.02.2011). Bursat kishin negociuar plot dy vjet më parë për një fuzionim të mundshëm, por pa sukses. Nëse këtë herë negociatat për bashkimin e dy kompanive do të përfundojnë me sukses, do të krijohej një bursë gjigante, e cila do të drejtonte tregjet e kapitalit nga Nju Jorku në Frankfurt dhe nga Parisi deri në Lisbonë.

Wall Street / Börse / Dow Jones
Bursa e Nju JorkutFotografi: AP

Karuseli i blerjeve rrotullohet


Bursa Gjermane të mërkurën vlerësohej në Frankfurt me 11,4 miliardë euro. "NYSE Euronext" shënoi në Nju Jork një vlerë tregu prej 7,6 miliardë eurosh. Në bazë të vlerave të tregut do të bëhej edhe ndarja e aksioneve të kompanive: aksionerët e Bursës Gjermane do të merrnin 59 deri 60 për qind të kompanisë së re. Sipas njoftimeve të agjencive, drejtuesi i NYSE-s Duncan Niederauer do të bëhej shefi i kompanisë së ardhshme. Shefi i Bursës Gjermane Reto Francioni, do të bëhej kryetar i këshillit administrativ në kompaninë e re.

Fuzionimi i planifikuar është një reagim ndaj shtimit të trysnisë ndaj bursave në mbarë botën: një numër gjithnjë e më i vogël kompanishë, gjithnjë e më të mëdha përcaktojnë drejtimin. Të martën njoftuan bashkimin mes tyre bursat në Londër dhe Toronto. Bursa e Singaporit ofron aktualisht 5,9 miliardë euro për rivalen australiane "Australian Securities Exchange".

NO FLASH Deutsche Börse
Bursa e FrankfurtitFotografi: AP

Kursime milionëshe

Bursa amerikane "NYSE Euronext" ka dalë vetë nga një blerje. Në vitin 2007 bursa "New York Stock Exchange" pati blerë "Euronext-in", e cila gjithashtu është një bashkim i bursave në Paris, Bruksel, Amsterdam dhe Lisbonë. Edhe Bursa Gjermane ishte atëherë e interesuar në blerjen e Euronext-it.

Përmes fuzionimit Bursa Gjermane dhe "NYSE Euronext" shpresojnë të kursejnë rreth 300 milionë dollarë në vit, kryesisht përmes administrimit të përbashkët të strukturave të tyre gjigante kompjuterike, përmes të cilave kanalizohet pjesa më e madhe e tregtisë. Tregtia në sallat e bursës në Frankfurt dhe në Wall Street nuk është më veçse një simbol për arsye imazhi.

Autor: Michael Wehling/Eliana Xhani (dpa, rtr, afp)

Redaktoi: Vilma Filaj-Ballvora