1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kriza në Egjipt dhe pasojat e mundshme të saj për ekonominë botërore

8 Shkurt 2011

Edhe pse deri tani bursat botërore nuk kanë reaguar ndaj krizës shqetësimi prej pasojave të saj për ekonominë botërore është i pranishëm? Një ndër problemet është rritja e çmimit të naftës.

https://p.dw.com/p/10CaO
kanali i SuezitFotografi: picture-alliance/ZB

Në tregjet e financave po shtohet nervoziteti. Çmimi i naftës filloi të ngjitet sërish. Pas fillimit të protestave në Egjipt ai u rrit fuqishëm. Një fuçi nafte e tipit WTI kushton për momentin rreth 90 dollarë. Vende të tilla si Kuvajti mendojnë se në rast se në Egjipt do të vazhdojnë trazirat çmimi mund të shkojë deri në 110 dollarë. Në Venezuelë u tha se në rast se mbyllet Kanali i Suezit atëhere çmimi për një fuçi nafte mund të shkojë deri në 200 dollarë. Këto çmime janë shumë më të larta se ato të vitit rekord 2008.

"Rreziku më i madh ekonomik prej ngjarjeve në Afrikën e Veriut dhe në Lindjen e Mesme është se mund të pengohet transporti i naftës dhe lëndëve të tjera të para përmes Kanalit të Suezit gjë që mund të çojë në rritjen e çmimeve." - thotë Martin Hüfner, ekonomist pranë firmës Assenagon.

Frankreich Protest gegen Rentenreform Tankstelle
Fotografi: AP

Rritja e çmimit të naftës dhe lëndëve të para është e dhimbshme për vendet në ekspansion ekonomik, sepse ato harxhojnë më tepër energji se vendet e industrializuara. Por rritja e çmimit të naftës dhe lëndëve të para çon edhe në rritjen e inflacionit dhe të përqindjeve të interesit të kredive, gjë që frenon fuqinë blerëse dhe rritjen ekonomike.

Për këtë shkak ato prekin edhe vende të tilla me ekonomi të stabilizuar si Gjermania. Kjo sepse sipërmarrjet gjermane përfitojnë prej eksporteve dhe porosive gjithnjë e më të mëdha nga vende të tilla si Kina, Rusia, India dhe Brazili. Deri tani ato përfitonin edhe prej porosive nga Egjipti.

Pra a ka rrezik për ndonjë reaksion zinxhir apo për një krizë të re botërore?

"Kaq larg nuk ka pse të shkojmë. E mundur është gjithçka po duhet të jemi realistë. Ne i shohim problemet në rajonin arab. Ende nuk e dimë se ç'efekt do të kenë, të gjithë janë të shqetësuar dhe përpiqen të parandalojnë ndonjë fatkeqësi të madhe, por askush nuk mund ta përjashtojë që në fund mund të ndodhë ndonjë fatkeqësi të madhe." thotë Martin Hüfner i Assenagon.

Dax Aktien Börse Abschwung
Ndikimi në bursëFotografi: picture-alliance/dpa

Pra nuk ka shkak për panik, por as për të ndejtur në qetësi. Të këtij mendimi janë edhe punonjësit e Bursës së Frankfurtit si edhe shumë investitorë dhe persona që kanë depozituar paratë në Egjipt dhe në vende të tjera në ekspansion ekonomik. Ata po i tërheqin paratë nga këto vende dhe po i investojnë në vendet e industrializuara. Po sipas ekspertëve këto lëvizje nuk kanë të bëjnë vetëm me krizën akutuale politike në Afrikën e Veriut, por edhe me ciklin konjunkturor të vetë vendeve në ekspansion ekonomik.

Autor: Ulrich Barths/Pandeli Pani

Redaktoi: Bahri Cani

Kaloje seksionin tjetër Zbulo më shumë