1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Merkel: 2010 një vit i mirë për Gjermaninë

1 Janar 2011

Kancelarja e Gjermanisë, Angela Merkel, në fjalimin e fundvitit u shpreh optimiste për 2011. Ajo synon përmirësime në një sërë sektorësh: ndër të tjera në politikën arsimore, atë të shëndetsisë dhe të financave.

https://p.dw.com/p/zsBt
Kancelarja Angela Merkel duke mbajtur fjalimin e fundvitit, 31.12.2010, Berlin
Kancelarja Angela Merkel duke mbajtur fjalimin e fundvitit, 31.12.2010, BerlinFotografi: dapd

2010 ishte një vit i mirë për Gjermaninë konstatoi kancelarja gjermane Angela Merkel që në fillim të fjalimit të saj me rastin e Vitit të Ri. "Gjermania ia doli mbanë krizës si asnjë vend tjetër. Ato që i vumë vetes si synim edhe i realizuam: madje prej krizës kemi dalë edhe të forcuar" - tha kancelarja.

Kurrë më parë që prej bashkimit të Gjermanisë kuota e papunësisë nuk ka qenë më e ulët se sa këtë vit, konstatoi kancelarja.

Ajo u shpreh se është e shqetësuar për stabilitetin e euros, e cila sipas saj është garanci për paqen dhe lirinë në Evropën e bashkuar: "Euroja është baza e mirëqënies sonë. Gjermania ka nevojë për Evropën dhe monedhën tonë të përbashkët, si për të mirën tonë edhe për të përballuar detyrat e mëdha në botë."

DW-Grußkarte Jahreswechsel 2011
Fotografi: DW

Një ndër këto detyra të mëdha mbetet angazhimi në Afganistan, i cili edhe gjatë vitit 2010 shkaktoi dhimbje dhe shqetësim: "Ushtareve dhe ushtarëve tanë në Afganistan iu desh të përballeshin këtë vit me vdekjen e nëntë prej shokëve të tyre. Edhe pse asnjë fjalë e imja nuk mund ta pakësojë vërtet dhimbjen e familjeve dhe të miqve të të rënëve, dua t'ju them nga zemra, se nuk i harroj."

Për vitin 2011 kancelarja synon përmirësime në një sërë sektorësh: ndër të tjera në politikën arsimore, atë të shëndetsisë dhe të financave. Por të gjitha këto nuk mund t'i bëjë vetëm shteti, e domosdoshme është ndihma e të gjithë gjermanëve, - tha kancelarja.

Përmblejdhe nga fjalimi i Angela Merkel

Përshtati: Pandeli Pani

Redaktoi: Vilma Filaj-Ballvora