1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Me pension dhe pa para - Rreziku i rritjes së varfërisë për pensionistët në Gjermani

31 Dhjetor 2010

Numri i pensionistëve të kërcënuar nga varfëria rrezikon të rritet në mënyrë drastike në Gjermani. Ekspertët paralajmërojnë rritje deri në 10%.Qeveria gjermane në vitin 2011 të shqyrtojë mundësinë e një pensioni minimal

https://p.dw.com/p/zrvA
Pensionistët para problemeve
Pensionistët para problemeveFotografi: AP

Ekspertët për çështje sociale dhe komunat paralajmërojnë për një rritje drastike të varfërisë për moshat e treta në të ardhmen në Gjermani. Drejtori i Shoqatës gjermane të Bamirësisë , Ulrich Schneider tha për gazetën gjermane "Rheinische Post" se situata do të përkeqësohet në vitet e ardhshme. Numri i 65 vjeçarëve, të cilët do të jenë të varur nga sigurimi bazë social do të rritet nga 2,5% në 10% ose edhe më shumë, ka thënë Schneider.

"Tani po vijnë në moshën e pensionit ato gjenerata që kanë biografi pune të ndërprera, që kanë përjetuar papunësinë, por edhe papunësinë afatgjatë, apo kanë punuar në sektorë me rroga të ulta, nga ku nuk mund të presësh një pension të mjaftueshëm."

Për këtë kategori pensionistësh, pra për ata që nuk kanë mundësi të plotësojnë nivelin e jetesës normale, ekziston që nga viti 2003 sigurimi bazë social për pensionistët në Gjermani, një asistencë e shtetit.

Sigurimi i pensionistëve - Kosto e papërballueshme për komunat

Por në rast rritjeje të kësaj kategorie për komunat gjermane do të jetë e papërballueshme kostoja. Këtë e ka paralajmëruar edhe drejtori i Shoqatës gjermane të qyteteve dhe komunave, Gerd Landsberg. Nga viti 2003 deri në vitin 2009 shpenzimet vjetore të komunave për sigurimin bazë social për moshën e tretë kanë kapur shifrat e 3,9 miliardë eurove, duke u trefishuar, vë në dukje Landsberg. Edhe numri i marrësve të sigurimit bazë është dyfishuar, thotë ai. 400.000 vetë të moshës së tretë kanë nevojë aktualisht për asistencën e shtetit në Gjermani, megjithë pensionin që marrin.

Pensionist në park
Pensionist në parkFotografi: AP

Me shqetësim për rritjen e varfërisë për pensionistët shprehet edhe shefi i Këshillit të ekspertëve të qeverisë gjermane, Bert Rürup. Nëse ka një detyrë të politikës së pensioneve në këtë legjislaturë, ajo është të gjejë një përgjigje për rrezikun në rritje të varfërisë së pensionistëve, ka thënë Rürup. Ai i ka kërkuar qeverisë të fusë në funksionim pensionin shtesë, që do të thotë se personat që kanë paguar kontributet e pensionit në Gjermani të kenë mundësi të marrin një pension të atillë që të tejkalojë sigurimin bazë social të pensionistëve.

Qeveria gjermane pritet që në vitin 2011 të shqyrtojë mundësinë e futjes së një pensioni minimal për personat me rroga të ulëta. Një komision i qeverisë me emrin "Shmangje e varfërisë" pritet të nisë nga puna në prill të 2011-s.

Autor: Lindita Arapi

Redaktoi: Auron Dodi