1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

301210 Dialog Porträts Migranten

30 Dhjetor 2010

Piktori gjermano-sirian Tarek Marestani pikturon në vaj portrete të migrantëve të rinj. Pikturat do të ekspozohen më vonë në galeri dhe do t'u mundësojnë kështu vështruesve një vështrim krejt tjetër ndaj emigrantëve.

https://p.dw.com/p/zraX
Piktori gjermano-sirian Tarek Marestani.
Piktori gjermano-sirian Tarek Marestani.Fotografi: Tarek Marestani

Prej kohësh Tarek Marestanit i kishte lindur ideja që të portretonte të rinj me rrënjë të huaja. Idenë për projektin ai e pati para disa vjetësh, kur jetonte ende në landin e Saksonisë së Poshtme. Kur u shpërngul një vit më parë në Berlin, piktori 60 vjeçar konstatoi se kishte ardhur koha për ta vënë në jetë projektin në Berlin. Ai vendosi kontakt me shokë dhe miq me origjinë migranti në lagje të ndryshme të qytetit, ku kishte shumë migrantë dhe i pyeti, nëse ishin të gatshëm të qendronin si modele për projektin e tij:

"Unë ua shpjegova atyre sfondin e këtij projekti: Ky projekt nuk është gjë tjetër, veçse një urë mirëkuptimi midis njerëzve me sfond migrantësh dhe shoqërisë gjermane. Dhe unë dua të ndërtoj një urë njerëzore dhe një dialog objektiv, e jo polemik."

Rreth 15 të rinj arriti të entuziazmojë artisti për projektin e tij, gjithsej do të bëhen rreth tridhjetë të rinj, që marrin pjesë. Ai dëshiron të bëjë portrete të të rinjve, sepse ata janë e ardhmja e shoqërisë, tha Marestani. Por për këtë ata duhet ta përfundojnë shkollën me rezultate të mira, për të qenë në gjendje që të marrin pjesë më mirë në formësimin e shoqërisë. Nga ana tjetër, politika duhet t'u sinjalizojë atyre "ne kujdesemi për ju, përpiquni, ne iu ndihmojmë që puna të ecë më tej."

Piktori Tarek Marestani.
Piktori Tarek Marestani me një prej modeleve Wassima Ait-Oufkir.Fotografi: Tarek Marestani

Ish-drejtori i Institutit Oriental të Hamburgut, Udo Steinbach, i cili e njeh prej kohësh artistin, e mbështet projektin:

"Pikërisht në këtë moshë, pesëmbëdhjetë vjeç dhe ndoshta edhe pak më të mëdhenj, këtu janë këta që janë në prag të përfundimit të shkollës, para përfundimit të trajnimit të avancuar profesional. E këta shohin menjëherë se përballë tyre është ndërtuar një front, që ata të përjashtohen. Për shembull, kryeministri i Bavarisë, (Horst Seehofer) tha: "Ne distancohemi nga migracioni i ambjenteve të tjera kulturore" - ai e ka fjalën për këta. Për ta thënë troç, ky është një shok. Unë besoj se në këtë situatë është e rëndësishme që t'i tregojmë shoqërisë se "ju duhet t'u jepni një shans këtyre të rinjve, në një takim të hapur me ta."

Prof. Udo Steinbach, ish-drejtori i Institutit Oriental të Hamburgut.
Prof. Udo Steinbach, ish-drejtori i Institutit Oriental të Hamburgut.Fotografi: Omar Hairani

Tarek Marestani e nis punën e tij artistike vetëm pas një përgatitjeje rrënjësore. Përveç fotografive dhe skicave, këtu bëjnë pjesë edhe bisedat me fëmijët dhe të rinjtë që do të portretohen dhe prindërit e tyre. Në fund do të krijohen portrete, në të cilat pasqyrohet edhe diçka nga mendimet e tyre, diçka nga ëndrrat dhe nga karakteri i tyre.

Wassima 13 vjeçare, një gjimnaziste e Hamburgut me rrënjë marokene, është njëra nga të rejat, që po portreton aktualisht Tarek Mestani. Asaj i pëlqen të pikturojë edhe vetë dhe të luajë në një grup teatral. Kur e pyesin, se pse dëshiron të bëhet pjesë e projektit artistik, Wassima thotë, se në të ardhmen ndoshta dëshiron të bëhet avokate:

"Unë marr pjesë në këtë projekt, sepse dua që të tregohen edhe anë të mira të integrimit dhe jo vetëm të këqiat."

Midis fëmijëve të migrantëve nuk ka vetëm nga ata që ndjekin shkollën e mesme profesionale, sepse nuk kanë rezultate të larta, por edhe gjimnazistë, thotë Wassima, me besim në vetvete. Në gjimnazin e saj nuk luan asnjë rol se prej cilit vend vjen, por trajtohesh si i barabartë.

Tarek Marestani dëshiron të bëjë portrete jo vetëm të të rinjve me origjinë migrantësh:

"Unë kam takuar edhe njërëz nga Vietnami dhe nga Kina. Unë kërkoj edhe nacionalitete të tjera. Dhe unë e mbledh këtë material dhe javën e ardhshme do të kem edhe një takim në Kreuzberg me një familje kineze, e cila është shumë interesante. E pres me shumë interes atë që do të më tregojnë ata."

Portretet pikturohen në pëlhurë akriliku dhe me bojëra vaji, me një teknikë të kombinuar dhe do të kenë përmasa 60X70cm.

Shkencëtari i shkencave islame, Udo Steinbach kujton se arti në Evropë në shekullin e 19-të dhe të 20-të ishte marrë herë pas here me fenomene sociale. Me këtë janë iniciuar procese ndërgjegjësimi. Këtë ai e pret të ndodhë edhe kur të përfundojnë portretet e ekspozitës së Marestanit.

Autor: Sabine Ripperger / Auron Dodi

Redaktoi: Eliana Xhani