1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kulturkalender Januar

29 Dhjetor 2010

Viti i ri fillon me aktivitete interesante: në Saarbrücken takohen kineastë të brezit të ri, në Berlin fillon java e modës. Dhe nuk mbaron me kaq ...

https://p.dw.com/p/zr9L
Në Zarbryken zhvillohet në janar festivali Max Ophüls.
Në Zarbryken zhvillohet në janar festivali Max Ophüls.

Takimi i kineastëve të rinj

Në garë për çmimin Max-Ophüls: Filmi "180°" nga Cihan Inan
Në garë për çmimin Max-Ophüls: Filmi "180°" nga Cihan InanFotografi: Filmfestival Max Ophuels Preis

Çdo vit mblidhen kineastët e rinj të filmit gjerman në festivalin Max-Ophüls në Zarbryken, atdheun e regjisorit francez Max Ophüls, emrin e të cilit mban festivali. Më shumë se 500 filma ka përzgjedhur këtë vit juria. 16 prej tyre marrin pjesë në garën „film me metrazh të gjatë”, 16 të tjerë në garën “film me metrazh të shkurtër”, pjesa më e madhe shfaqen për herë të parë. Për disa nga kineastët këtu ka filluar karriera e madhe. Një shembull i njohur është Florian Henckel von Donnersmarck, i cili në Zarbryken fitoi në vitin 2000 çmimin e tij të parë për filmin me metrazh të shkurtër "Dobermann". Shtatë vjet më vonë pasoi çmimi Oskar për filmin „Jeta e të tjerëve“. Natyrisht, jo gjithmonë ndodh kështu, por festivali është me siguri një hap i parë drejt publikut të madh. Nëse në vitin e themelimit para rreth 30 vjetësh festivali numëronte rreth 700 spektatorë, sot numri i tyre i kalon 30.000. Dhe sa i takon çmimeve Oskar: ato janë temë edhe në Zarbryken, pasi në 25 janar Akademia e Çmimit Oskar në Los Angeles, bën të ditur listën e kandidatëve.

Dizajn në Köln – A ka diçka që nuk shkon?

Dizajn aktual nga trarët e lagunës: Venecia e Claudio Bellinit.
Dizajn aktual nga trarët e lagunës: Venecia e Claudio Bellinit.Fotografi: Riva Industria Mobili SpA

Çfarë mund të bësh me drurin që ka qëndruar dhjetë vjet rresht në ujë? Jo shumë, mund të mendosh. Më e mira është ta thash dhe ta përdorësh si dru për ngrohje. Por kur është fjala për trarët e lagunës nga Venecia, të cilët janë ndërruar, ka me siguri mundësi të tjera më interesante përdorimi. Këtë ka menduar edhe një firmë italiane mobiljesh, e cila angazhoi 29 artistë dizajni për të ricikluar trarët e dalë jashtë përdorimit, duke prodhuar prej tyre tavolina, karrige apo skulptura. Rezultatet i prezanton muzeu për art të aplikuar në Köln, në kuadër të javës së dizajnit „Pasazhe“, e cila zhvillohet paralelisht me panairin ndërkombëtar të mobiljeve (17.-23.1.). Gjithsej zhvillohen rreth 190 aktivitete në vende të ndryshme të qytetit. Kështu „Pasazhet“ themeluar rreth 22 vjet më parë, bëjnë pjesë në një prej platformave më të mëdha të dizajnit në Gjermani.

Fjala e shëmtuar e vitit

"Niveli më i ulët gjuhësor në trajtimin e punëmarrësve“: fjala e shëmtuar e vitit 2009.
"Niveli më i ulët gjuhësor në trajtimin e punëmarrësve“: fjala e shëmtuar e vitit 2009.Fotografi: picture alliance / dpa

Jo patjetër një ngjarje klasike kulturore, por me siguri një temë, për të cilën do të flitet: më 18 janar shpallet fjala e shëmtuar e vitit. Mundësia e zgjedhjes si rregull është e madhe, vitet e fundit janë dërguar vazhdimisht rreth një mijë propozime. Në vitin 2009 garën e kryeson termi „helmuar nga këshilli i punonjësve“: për jurinë, e cila përbëhet në pjesën më të madhe nga specialistë të gjuhës, ky term ishte „një nivel i ulët gjuhësor në trajtimin e punëmarrësve“. Vitet e kaluara bëhej fjalë për terma të tillë si „premio sobe“, „produktivitet shkarkimesh“ apo „fluks pensionistësh“. Sigurisht që përcaktimi është në masë të madhe subjektiv, dhe këtë nuk e mohojnë as përgjegjësit. Por ata arrijnë atë që synojnë: ndezjen e një diskutimi për terma të caktuara dhe ndoshta për të zgjuar një sensibilizim më të madh, në përdorimin e gjuhës, edhe në botën e politikës dhe të ekonomisë, pasi aty e kanë zanafillën veçanërisht shumë fjalë të shëmtuara.

Jo çorape dhe sandale: „Java e modës“ në Berlin

Objekt dëshire i stilistit Sam Frenzel – jakë e lartë për ditë të ftohta në Berlin...
Objekt dëshire i stilistit Sam Frenzel – jakë e lartë për ditë të ftohta në Berlin...Fotografi: AP

Modë nga Gjermania – kjo ende nuk tingëllon vërtet elegante, madje në rastin më të keq të fanepsen pamje të burrave me çorape të bardha sporti dhe sandale. Ndryshe është puna kur flitet për Milanon ose Parisin, Londrën dhe Nju Jorkun: moda atje xixëllon dhe ka stil, është krijuese dhe origjinale. Kjo është klisheja, e cila deri tani ka pasur edhe diçka të vërtetë. Por ndërkohë edhe gjermanët thonë fjalën e tyre në botën e modës. Berlini prej kohësh shfaq ambicie, për t'u konsoliduar si qytet mode dhe dy herë në vit fton në „Fashion Week“. Nga 19 deri 22 janari prezantohen atje koleksionet e vjeshtës dhe të dimrit 2011. Për shumë stilistë të rinj, dhe të tillë kryeqyteti gjerman ka shumë edhe falë nëntë shkollave të modës, java e modës është një shans për të prezantuar krijimet e tyre. Një nga pikërëndesat është edhe këtë herë „Eco fashion“, e cila e vë theksoin tek prodhimi biologjik dhe i ndershëm, pa pasur pamje „eko“.

Kur përplasen Perëndimi dhe Lindja…

Orientalizëm në telajo: Jean Lecomte du Nouÿ "Ëndrra e eunukut“ (1874).
Orientalizëm në telajo: Jean Lecomte du Nouÿ "Ëndrra e eunukut“ (1874).Fotografi: The Cleveland Museum of Art, Seventy-fifth anniversary gift of Mrs. Noah L. Butkin

Në të vërtetë e gjitha ka filluar me Napoleonin. Fushata e tij e Egjiptit, në të cilën morën pjesë edhe shumë studiues dhe artistë, shkaktoi në Evropë një entuziazëm të vërtetë për Egjiptin. Në tekste dhe pamje studiuesit, që kishin marrë pjesë në udhëtim, tregonin për botën magjepsëse të faraonëve dhe piramidave, edhe në art u përhap një orientalizëm i ri. Shumë artistë u përpoqën të shkonin në skenat origjinale, kush nuk kishte mundësi, përdori pamjet dhe fantazinë e vet. Rezultatet mund të shihen duke filluar nga 28 janari (e deri në 1 maj) në sallën e artit në Mynih. „Orientalizmi në Evropë: nga Delacroix deri tek Kandinsky“, titullohet ekspozita, për të cilën kuratori Roger Diederen ka huazuar rreth 100 vepra arti nga e gjithë bota. Pamje, të cilat tregojnë klishetë e prodhuara nga bota perëndimore, të cilat kanë karakterizuar pjesërisht deri sot një përfytyrim të caktuar për Lindjen.

Panairi i parë i artit në internet

Screenshot nga video promocionale VIP Art Fair.
Screenshot nga video promocionale VIP Art Fair.Fotografi: VIP Art Fair

Sot në internet mund të bësh thuajse gjithçka: të blesh, të lexosh gazetën, të shohësh video, të takosh miqtë dhe së shpejti të vizitosh një panair arti. "VIP Art Fair" titullohet një projekt, i cili do të realizohet nga 22. deri 30. janari, një panair arti virtual, i cili zhvillohet vetëm në rrjet. Tingëllon ndoshta e çuditshme, pasi të përjetosh artin do të thotë ta ndiesh atë live, por ideja mbështetet nga galeri me emër. Takimet bëhen në Live-Chat apo në Skype ose veprat shfaqen në ekran krejt privatisht në të ashtuquajturat “Private Rooms”. Që kjo nuk e zëvendëson takimin e vërtetë dhe përjetimin e mirëfilltë të artit, e kanë të qartë edhe realizuesit e projektit. Por ata shpresojnë, që në këtë mënyrë të lindë një platformë e re, në të cilën të takohen koleksionistë dhe galeristë, megjithëse ata mund t'i ndajnë orë të tëra fluturimi.

Autor: Petra Lambeck / Eliana Xhani

Redaktoi: Vilma Filaj-Ballvora