1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Alexander von Humboldt-Stiftung

26 Dhjetor 2010

Prej vitit 1953 fondacioni Humboldt ka financuar me bursa 23 mijë shkencëtarë nga 130 vende të botës. Instrumenti më i ri i fondacionit Alexander von Humboldt është profesura Humbold.

https://p.dw.com/p/zovL
Alexander von HumboldtFotografi: AP

Profesori i famshëm gjerman dhe studiuesi i natyrës, Alexander von Humboldt (1769-1859) udhëtoi pesë vjet me radhë në kontinentin amerikano-jugor për të studiuar gjeografinë dhe zakonet e atjeshme. Sot ai vlerësohet si babai i udhëtimeve për zbulime shkencore. Rreth 150 vjet pas vdekjes së tij dhe pas një historie plot ulje-ngritje dhe përkohësisht dhe me mbyllje, Fondacioni Alexander von Humboldt i rihapur në vitin 1953, ndihmon shkencëtarët nga e gjithë bota të zhvillojnë udhëtime studimore në Gjermani.

Profesura Humboldt

Në vitin 2008 fondacioni Alexander von Humboldt në Bon dhe Ministria Federale e Arsimit dhe e Shkencës krijuan profesurën Humboldt. Çdo vit dhjetë studiues të shkëlqyeshëm nga vendet e tjera mund të propozohen nga një shkollë e lartë gjermane dhe mund të zgjidhen nga një juri që përbëhet nga shkencëtarë dhe politikanë. Buxheti vjetor prej 68 milionë eurosh që jepet krejtësisht nga buxheti i shtetit është në dispozicion të fondacionit.

Plantes Equinoxiales
Plantes EquinoxialesFotografi: picture-alliance/dpa/ akg-images

Rrjet në gjithë botën

Profesura Humbold është instrumenti më i ri i fondacionit Alexander von Humboldt. Por numri i shkencëtarëve që përkrahen nga fondacioni, përbën vetëm një pjesë të programit të fondacionit. Fondacioni Humboldt financon çdo vit 1800 pika studimore, që ndodhen kryesisht në Gjermani. Përveç kësaj fondacioni shpërndan çdo vit 800 bursa dhe më shumë se 100 çmime. Në rrjetin alumni të fondacionit bëjnë pjesë 23 mijë gra dhe burra nga 130 vende të globit, ndër të cilët 41 mbajtës të çmimit Nobel. Pjesa më e madhe e shkencëtarëve të përkrahur nga fondacioni është nga jashtë Gjermanisë.

Bursat kërkimore

Një nga pjesët më kryesore të programit të bursave është bursa kërkimore Humboldt, një program që u jep mundësinë shkencëtarëve të zhvillojnë punime kërkimore gjatë një viti në Gjermani. Për të financuar qëndrimin e tyre, ata ndihmohen me bursa prej 2 000 eurosh, si dhe me mjete financiare për të marrë pjesë në kongrese dhe kurse gjuhe. Përveç tyre ndihmohen edhe bashkëshortët dhe fëmijët.

Autor: Svenja Üing/ Aida Cama
Redaktoi: Pandeli Pani